Nëse ka një pasqyrë të qartë se si pushteti po zhvasin pa mëshirë xhepat e qytetarëve, ajo është tabela e çmimeve të karburantit. Sot, një litër naftë në Gjermani—shteti me ekonominë më të fuqishme në Europë dhe me paga që kapin shifra disafishe më të larta se tonat, kushton më lirë se në pikat e karburantit në Shqipëri.
Si ka mundësi që një familje gjermane, me një pagë mesatare mbi 3,000 euro, paguan më pak për të mbushur makinën sesa një familje shqiptare që përpiqet të shtyjë muajin me 400 apo 500 euro? Përgjigjja nuk është as kriza globale dhe as tregu ndërkombëtar. Përgjigjja është babëzia e politikanëve tanë, taksat e mbivendosura dhe kjo heshtje kolektive që po na mbyt çdo ditë e më shumë.
Çmimi i naftës në Shqipëri nuk është thjesht një faturë më e lartë për drejtuesit e mjetit. Ai është shkaku direct pse buka e gojës, transporti publik, produktet e shportës dhe çdo shërbim bazë rritet ditë pas dite. Kjo nuk është thjesht ekonomi, është grabitje me leje shtetërore. Qeveritë dhe politikanët tanë e kanë kthyer karburantin në një makinë pafundme zhvatjeje, ku mbi çdo litër rëndojnë taksa abuzive që nuk shkojnë as në rrugë më të mira dhe as në shërbime më të mirëmbajtura, por në xhepat e një grushti pushtetarësh.