Dy gola mjaftojnë, Shqipëria e nis me fitore Ligën e Kombeve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.09.2026, 22:46

Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Ligën e Kombeve, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në stadiumin “Air Albania”.

Kuqezinjtë e nisën takimin me intensitet dhe iu afruan golit me Rei Manajn, ndërsa pak minuta më vonë ishte Etrit Berisha ai që mbajti në lojë Shqipërinë me një ndërhyrje vendimtare.

Goli i avantazhit erdhi rreth çerek ore para përfundimit të pjesës së parë. Gjimshiti fitoi një 11-metërsh pas një kontakti brenda zonës dhe Kristjan Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Shqipërinë në epërsi.

Kuqezinjtë nuk u mjaftuan me kaq. Para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes, Ernest Muçi dyfishoi shifrat pas një aksioni të bukur dhe asistit të Elseid Hysajt.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria pati mundësi të tjera për të thelluar avantazhin, me Taulant Seferin që humbi një rast të artë për golin e tretë. Bjellorusia provoi të reagonte, por nuk arriti të krijonte rrezik serioz për portën kuqezi.

Me këtë sukses, Shqipëria e nis me tri pikë aventurën në Ligën e Kombeve, ndërsa sfida e radhës do të jetë ndaj San Marinos, tre ditë më vonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit