Punëtorët egjiptianë kërkojnë ndihmë: Pronari italian na shfrytëzoi për punë dhe s’na jep rrogën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.09.2026, 19:08

Një grup prej 14 punëtorësh të huaj, rreth 11 prej të cilëve shtetas egjiptianë dhe pjesa tjetër shtetas nga vende të tjera afrikane, i janë drejtuar redaksisë sonë dhe institucioneve shqiptare, duke kërkuar ndihmë për një konflikt me punëdhënësin e tyre.

Sipas deklarimeve të tyre dhe dokumenteve që thonë se disponojnë, punëtorët kanë punuar për kompaninë MYGC SH.P.K., në pronësi të shtetasit italian Giampaolo Calabro, nga 1 gushti deri më 18 shtator 2026, për rreth 45 ditë.

Ata deklarojnë se kanë punuar kryesisht në instalimin e pllakave qeramike dhe porcelani, me orare që, sipas tyre, nisnin rreth orës 07:00 dhe përfundonin në orën 19:00–20:00, ndërsa në raste të caktuara puna vijonte edhe më gjatë. Njëri prej punëtorëve thotë se në disa raste merrej nga banesa që në orën 05:00 të mëngjesit dhe punonte deri rreth orës 20:00.

Punëtorët thonë se, pavarësisht punës së kryer, nuk kanë marrë pagat dhe detyrimet financiare që, sipas tyre, u takojnë për periudhën e punës. Ata thonë se kanë punuar edhe orë shtesë dhe gjatë ditëve të pushimit, duke treguar se disponojnë komunikime, fotografi dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë për verifikimin e këtyre deklarimeve.

Sipas tyre, mungesa e të ardhurave ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te familjet e tyre në Egjipt. Punëtorët thonë se prej disa muajsh nuk kanë mundur t'u dërgojnë para familjarëve, ndërsa njëri prej tyre deklaron se ka një detyrim financiar në Egjipt prej rreth 30 mijë paundësh egjiptianë në muaj, të cilin, sipas tij, e ka të pamundur ta përballojë në kushtet aktuale.

Përveç problemeve për pagesat, punëtorët ngrenë shqetësime edhe për mënyrën se si, sipas tyre, janë trajtuar gjatë marrëdhënies së punës. Ata deklarojnë se kanë përjetuar presion dhe kërcënime për të vijuar punën. Njëri prej tyre tregon se i është thënë se, nëse nuk vazhdonte të punonte, do të përfundonte duke lypur në rrugë.

Një tjetër episod që kërkojnë të verifikohet lidhet me banesën ku qëndronte grupi. Sipas deklarimeve të tyre, punëdhënësi ka shkuar në banesë, ka marrë çelësat dhe është përpjekur t'i nxjerrë jashtë, duke i lënë pa strehim. Punëtorët shprehen gjithashtu se gjatë këtij incidenti është marrë një shumë prej 450 eurosh, të cilën, sipas tyre, e kishin marrë hua nga një mik për të blerë ushqime dhe produkte të nevojshme.

Situata, sipas punëtorëve, është rënduar edhe më tej pas humbjes së strehimit dhe mungesës së të ardhurave. Njëri prej tyre deklaron se ai dhe disa kolegë kanë qëndruar rreth tre ditë pa ushqim. Ai thotë se, kur është paraqitur në Inspektoratin e Punës, ka qenë në gjendje të rënduar fizike dhe emocionale për shkak të mungesës së ushqimit dhe kushteve në të cilat ndodhej.

Punëtorët ngrenë gjithashtu shqetësime lidhur me pasaportat dhe dokumentet e tyre të punës pasi ato po mbahen nga pronari italian.

Punëtorët deklarojnë se kanë ndjekur rrugët institucionale dhe kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Inspektoratit të Punës dhe Policisë.

Punëtorët u bëjnë apel institucioneve shqiptare që të interesohen për çështjen, të shqyrtojnë dokumentet dhe provat që ata disponojnë, të dëgjojnë dëshmitë e tyre dhe, nëse është e mundur, të kontaktojnë kompaninë për të verifikuar të gjitha probleme.

“Jemi të huaj në Shqipëri dhe nuk e njohim mirë sistemin. Kemi nevojë për ndihmë që të mund të kërkojmë të drejtat tona përmes rrugëve ligjore”, shprehen ata.

Punëtorët thonë se situata e tyre mbetet urgjente për shkak të problemeve me strehimin, ushqimin dhe mungesën e të ardhurave për veten e tyre por edhe familjeve që kanë lënë vendet e tyre të origjinës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit