Në kulmin e krizës, qeveria rrit barrën për naftën: Detyrimi i ri 3 lekë për litër

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.09.2026, 19:14

Në kulmin e krizës së çmimeve, konsumatorët shqiptarë pritet të përballen me një tjetër rritje të barrës fiskale mbi karburantet. Qeveria parashikon vendosjen e një tarife të re prej 3 lekësh për litër, e cila do t'i shtohet çmimit final të shitjes me pakicë dhe do të gjenerojë rreth 40 milionë euro në vit (3.75 miliardë lekë).

Kjo tarifë e re synon të financojë krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervës kombëtare të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj për një periudhë 5-vjeçare, me një efekt financiar që arrin në rreth 200 milionë euro.

Efekti te konsumatori dhe barra aktuale fiskale

Edhe pse në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj” niveli prej 3 lekësh për litër paraqitet si orientues, vetë qeveria pranon se kjo tarifë do të rrisë drejtpërdrejt çmimin përfundimtar për konsumatorët. Niveli përfundimtar i tarifës do të miratohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.

Aktualisht, Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale mbi karburantet në rajon, ku taksat dhe tarifat përbëjnë rreth 53% të çmimit final. Ndryshe nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova ku mbi çmimin e shumicës llogariten vetëm TVSH-ja dhe akciza, në vendin tonë aplikohen një seri taksash si taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, tarifa e skanimit, taksat bashkiake dhe tarifa e rilicencimit.

Kostot e rezervës dhe struktura e re

Sipas skenarëve të qeverisë, volumi i rezervës së sigurisë parashikohet të jetë 43.6 deri në 49 mijë ton në vit, ku peshën kryesore do ta mbajë nafta bruto (17.4 mijë ton) dhe dieseli (13 mijë ton), e ndjekur nga benzina, gazi i lëngshëm dhe karburanti i avionëve.

Kostot kryesore vjetore llogariten si më poshtë:

  • Blerja e karburantit rezervë: 39.4 milionë euro në vit
  • Kostoja e depozitimit: 2.6 milionë euro në vit
  • Ngritja e Autoritetit Menaxhues: 60 milionë lekë (kosto fillestare)
  • Funksionimi vjetor i Autoritetit: 220 milionë lekë në vit
  • Zhvillimi i sistemit të arkëtimit: 20–30 milionë lekë (dhe 8–12 milionë lekë mirëmbajtje vjetore)

Pas përfundimit të periudhës 5-vjeçare të krijimit të plotë të rezervës, tarifa parashikohet të mbulojë vetëm kostot e depozitimit dhe mirëmbajtjes.

Reagimi i Shoqatës së Hidrokarbureve

Vendimi ka nxitur reagime nga Shoqata e Hidrokarbureve, e cila e konsideron këtë tarifë si një "taksë të fshehtë". Sipas shoqatës, kjo masë nuk i ofron ndonjë shërbim kompanive të sektorit, por thjesht ngarkon konsumatorin dhe biznesin për të financuar një detyrim publik.

Përveç kësaj, shqetësim mbetet edhe pika e projektligjit që i jep të drejtën Autoritetit të ri Shtetëror të blejë dhe të shesë naftë pa prokurim publik e pa garë, me arsyetimin e natyrës specifike që ka menaxhimi i rezervave të sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit