Një oficer i lartë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim lidhur me sigurinë e informacionit brenda institucioneve të sigurisë dhe Policisë së Shtetit.
Denoncimi vjen në një moment kur çështja e administrimit dhe mbrojtjes së informacionit sensitiv është rikthyer në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të fundit në dosjen e SPAK që lidhet me biznesmenin Ergys Agasi.
Më 22 shtator, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, masën “arrest shtëpie” dhe pezullimin nga detyra. Sipas SPAK, Hyseni është person nën hetim për vepra që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit.
Hetimi lidhet me dosjen ndaj Ergys Agasit, i cili u arrestua më 26 gusht pas disa muajsh në kërkim. Në materialet e bëra publike gjatë ditëve të fundit janë raportuar komunikime të shpeshta mes Agasit dhe Hysenit, ndërsa në automjetin e biznesmenit janë sekuestruar edhe dokumente që, sipas raportimeve, përmbanin të dhëna të ngjashme me materiale të prodhuara nga SHISH.
Pikërisht ky zhvillim ka shtyrë oficerin e policisë që t’i drejtohet publikisht JOQ Albania, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si ruhen informacionet sensitive dhe të klasifikuara brenda strukturave të sigurisë.
Në denoncimin e tij, oficeri ngre gjithashtu shqetësime për materiale përgjimi, të dhëna sensitive dhe mundësinë që informacione të klasifikuara të jenë transferuar në pajisje USB. Këto janë pretendime dhe shqetësime të ngritura nga denoncuesi dhe nuk përbëjnë konstatime të pavarura të redaksisë.
Një tjetër element i përmendur në mesazhin e tij lidhet me hetimet ndaj strukturave të Policisë së Shtetit. Në kuadër të operacionit të fundit të SPAK, është arrestuar edhe Fatjon Kalluci, i identifikuar në raportime si shef i Laboratorit Shkencor të Policisë, ndërsa ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, janë kryer kontrolle.
Oficeri ngre shqetësimin se, nëse informacionet e klasifikuara mund të ekspozohen nga institucione që kanë për detyrë t'i mbrojnë ato, atëherë duhet të verifikohet edhe siguria e të dhënave që punonjësit e Policisë së Shtetit dorëzojnë gjatë ushtrimit të detyrës.
Në mënyrë të veçantë, ai përmend formularët SK1 dhe SK2, përmes të cilëve punonjësit raportojnë informacione sensitive mbi persona me të cilët përballen gjatë punës, duke ngritur pyetjen se kush garanton që këto të dhëna nuk mund të përfundojnë në duart e personave të rrezikshëm.
Denoncuesi kërkon që çështja të trajtohet si një problem që lidhet jo vetëm me përgjegjësinë individuale të personave që mund të kenë shkelur ligjin, por edhe me mënyrën se si institucionet e sigurisë ruajnë, administrojnë dhe kontrollojnë aksesin në informacionet sensitive.
Më poshtë, JOQ Albania publikon të plotë mesazhin e oficerit, duke ruajtur të pandryshuar përmbajtjen e tij:
Përshëndetje JOQ Albania! Jam një oficer i lart pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ju drejtohem lidhur me disa shqetësime shumë serioze që lidhen me ngjarjet e fundit dhe me sigurinë e informacionit brenda institucioneve të sigurisë dhe të Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve që janë bërë publike në lidhje me hetimet e SPAK dhe arrestimet e fundit, dyshohet se nga strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit kanë dalë informacione të klasifikuara dhe materiale sensitive, të cilat dyshohet se janë transferuar edhe në pajisje USB. Ndër materialet që dyshohet se mund të jenë nxjerrë jashtë sistemeve janë edhe materiale përgjimi dhe informacione të tjera që duhet të trajtohen me nivelin më të lartë të konfidencialitetit.
Një tjetër çështje shqetësuese lidhet me arrestimin e drejtuesit të Policisë Shkencore dhe me dyshimet që janë ngritur për ndërhyrje në proceset e rekrutimit në Akademinë e Sigurisë.
Bëhet fjalë për dyshime se në raste të caktuara mund të jenë manipuluar ose ndryshuar të dhëna dhe prova të kandidatëve, përfshirë formularë dhe të dhëna që lidhen me verifikimin e tyre.
Nëse këto dyshime rezultojnë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh sesa thjesht me parregullsi në një proces rekrutimi. Çështja prek drejtpërdrejt sigurinë e Policisë së Shtetit dhe të vetë punonjësve të policisë.
Shqetësimi im më i madh lidhet me formularët SK1 dhe SK2, ku punonjësit e policisë janë të detyruar të raportojnë informacione sensitive për persona me të cilët përballen gjatë detyrës. Pyetja është shumë e thjeshtë: kush e garanton sigurinë e këtyre informacioneve dhe kush garanton që ato nuk përfundojnë në duart e personave që mund t’i përdorin kundër punonjësve të policisë?
Nëse është e mundur që informacione të klasifikuara të dalin nga struktura të tilla si SHISH, atëherë është e arsyeshme të ngrihet shqetësimi se çfarë mund të ndodhë me informacionet që mbahen në strukturat e Policisë së Shtetit, veçanërisht informacionet operative dhe të dhënat që lidhen me personat me precedentë apo aktivitet kriminal.
Një punonjës policie mund të jetë në terren duke rrezikuar jetën e tij dhe të familjes së tij, ndërkohë që informacioni që ai raporton në mënyrë konfidenciale mund të jetë potencialisht i ekspozuar nëse brenda strukturave ka persona që abuzojnë me detyrën ose bashkëpunojnë me elementë kriminalë.
Prandaj, shqetësimi që dua të ngre publikisht është ky:
Nëse informacionet më të klasifikuara të shtetit dyshohet se kanë mundur të dalin nga institucionet që duhet t’i mbrojnë, çfarë garancie ka një punonjës i Policisë së Shtetit se informacioni që ai dorëzon për persona të rrezikshëm nuk do të përfundojë tek ata persona?
Kjo është një çështje që, përtej përgjegjësive individuale që duhet të përcaktohen nga organet e drejtësisë, kërkon transparencë dhe një verifikim të thellë të mënyrës se si ruhen, aksesohen dhe administrohen informacione sensitive brenda institucioneve të sigurisë.
E bëj këtë denoncim për të ngritur një shqetësim që prek drejtpërdrejt sigurinë e punonjësve të Policisë dhe besimin tek strukturat që kanë për detyrë ti mbrojnë ata.
Shpresojë ta bëni publik, faleminderit!