“Nga kodër e gjelbër në beton”/ Si ndryshoi Ali Demi në 8 vite

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 23.09.2026, 22:07

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar zhvillimin urban në zonën e Ali Demit, pranë kompleksit Mangalem 21.

Në fotot e dërguara në redaksi, të realizuara në maj 2016 dhe tetor 2024, shihet ndryshimi i zonës brenda disa viteve.

Në foton e vitit 2016, në sfond duket një hapësirë e hapur dhe e gjelbëruar në kodër, me pak ndërtime dhe pa godina të larta. Ndërsa në foton e vitit 2024, e njëjta zonë shfaqet e mbushur me ndërtime shumëkatëshe dhe komplekse të reja banimi.

Sipas denoncuesit, zhvillimi i ndërtimeve nuk është shoqëruar me përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Ai pretendon se rruga “Pasho Hysa” është rreth 5 metra e gjerë dhe se mungojnë trotuaret, ndërsa trafiku në zonë krijon bllokime të shpeshta.

“Ju lutem tregojeni se si ka qenë kodra ku sot ndodhet Mangalem 21 në Ali Dem. Fotoja e parë është në 2016, ndërsa në foton e dytë shihet qartë betonizimi pa kriter, në një vend ku infrastruktura është inekzistente. Bllokohen njerëzit në trafik nga 10-20 minuta apo edhe nga 1 orë në ditë. Trotuare nuk ka, rruga nuk i kalon më shumë se 5 metra gjerësi. Krim urban.”

Në pamjet e vitit 2024 dallohen gjithashtu ndërtime të reja shumëkatëshe, ndërsa në rrugë shihen hapësira të kufizuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe elemente të infrastrukturës urbane.

Pretendimet për shkelje të rregullave urbanistike apo mungesë të infrastrukturës së nevojshme kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse. Nga fotografitë mund të konstatohet ndryshimi i dukshëm i peizazhit urban, por jo nëse ndërtimet janë të ligjshme apo në përputhje me planet urbanistike.

JOQ Albania publikon fotografitë dhe denoncimin e qytetarit, duke sjellë në vëmendje ndryshimin e zonës dhe shqetësimin për përputhjen mes zhvillimit të ndërtimeve dhe infrastrukturës ekzistuese.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit