Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mënyrën se si, sipas tij, po zbatohet projekti në aksin Fier–Patos.
Sipas denoncuesit, investimi parashikon edhe ndërtimin e trotuareve dhe korsive të biçikletave, por në disa segmente këto ndërhyrje, sipas tij, nuk janë realizuar.
Në pamjet e dërguara në redaksi, qytetari tregon disa pjesë të aksit ku pretendon se projekti nuk është zbatuar ose ka mbetur i papërfunduar.
“Në disa vende është zbatuar projekti, në disa vende jo. Siç e shikoni edhe këtu, edhe këtu nuk është zbatuar projekti, edhe këtu nuk është zbatuar projekti.”
Gjatë videos, qytetari ironizon edhe me Gazment Bardhin, duke iu referuar përplasjeve të tij publike me deputeten socialiste Zegjine Çaushi dhe duke e ftuar të vijë në Fier për të parë nga afër investimet.
“O Gazi, të ka vënë Zegjineja në gjumë, të keqen. Po dil njëherë këtej nga Fieri të shikosh investimet që po bëhen. O Gazi, dil o se na ka marrë malli.”
Denoncuesi vijon të tregojë segmente të tjera të rrugës ku, sipas tij, ndërhyrjet e parashikuara nga projekti nuk janë realizuar.
Nga pamjet nuk mund të përcaktohet nëse punimet janë në faza të ndryshme të zbatimit apo nëse ka devijime nga projekti teknik. Për këtë nevojitet verifikimi i dokumentacionit dhe i punimeve në terren nga institucionet përgjegjëse.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e qytetarit, duke kërkuar transparencë mbi zbatimin e projektit në aksin Fier–Patos.