Mijëra persona me demencë në Shqipëri, ekspertët: Po prek edhe moshat më të reja

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.09.2026, 18:21

Demenca po shndërrohet në një shqetësim gjithnjë e më të madh edhe në Shqipëri. Vlerësimet flasin për rreth 36 mijë persona që jetojnë me këtë sëmundje, ndërsa specialistët paralajmërojnë se nuk bëhet fjalë më vetëm për një problem që lidhet me moshën e thyer.

Raste të demencës po evidentohen edhe në mosha më të reja, duke bërë që ekspertët të kërkojnë më shumë vëmendje ndaj faktorëve të rrezikut, diagnostikimit dhe mbështetjes së familjeve. Në Elbasan, rreth 50 studiues dhe profesionistë nga 20 vende u mblodhën në konferencën ndërkombëtare “Etika dhe Demenca”, ku u diskutua mbi zhvillimet dhe sfidat që lidhen me këtë sëmundje.

Sipas Sigurd Lauridsen, përfaqësues i Universitetit të Danimarkës, ndër faktorët që mund të ndikojnë në shfaqjen e demencës në moshë më të hershme janë duhani, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe diabeti i tipit 2. Krahas këtyre faktorëve, ndikim në rritjen e numrit të rasteve ka edhe plakja e popullsisë dhe ndryshimet demografike.

“Rreth 200 sëmundje përfshihen nën ‘çadrën’ e demencës dhe kërkojnë trajtime të specializuara”, thotë Lauridsen, duke shtuar se, megjithëse në Bashkimin Europian janë bërë gjetje që mund të ndihmojnë në trajtimin e saj, deri tani nuk ekziston një kurë e caktuar.

Përballja me demencën nuk kufizohet vetëm te personi i diagnostikuar. Me kalimin e kohës, edhe familjarët përballen me ndryshime të mëdha në jetën e përditshme, pasi kujdesi dhe nevojat e të afërmit mund të kërkojnë përshtatjen e të gjithë familjes.

Pikërisht për këtë arsye, Elona Gaxhja, drejtuese e Departamentit të Infermieristikës në FSHMT, pjesë aktive e rrjetit EDEM dhe organizatore lokale e konferencës EDEM në Elbasan, kërkon një angazhim më të madh institucional dhe një strategji të posaçme në nivel kombëtar.

“Do ishte shumë mirë që të gjitha institucionet të bëhen bashkë. Të ketë një plan kombëtar për mbështetjen e këtyre personave dhe të këtyre familjarëve. Kjo është arsyeja pse vendosëm ta bëjmë këtë konferencë në formë ndërgjegjësimi”, shprehet Gaxhja.

Një tjetër vështirësi lidhet me ndryshimet që sëmundja mund të sjellë në sjelljen dhe komunikimin e personit me njerëzit e tij më të afërt. Sipas psikologes Ilma Toçi, familjarët mund ta kenë të vështirë të përballojnë ndryshimin emocional dhe sjellor të një personi që më parë kishte një marrëdhënie krejt tjetër me ta.

“Gjithçka për të bëhet e panjohur, ky person fillon të ketë një irritim më të ndjeshëm, pra shpeshherë këta persona mund të bëhen më agresivë në aspektin emocional dhe nuk kanë dhe nuk dinë të falin atë dashurinë që më parë ia jepnin familjarëve, qoftë edhe fëmijëve të tyre”, thotë Toçi.

Një problem tjetër është mungesa e të dhënave të plota në Shqipëri. Vendi nuk disponon ende një regjistër zyrtar që të përcaktojë me saktësi numrin e personave që jetojnë me demencë. Për këtë arsye, shifra prej rreth 36 mijë personash bazohet në vlerësimet e “Global Burden of Disease” për vitin 2019.

Dhe projeksionet për të ardhmen e bëjnë situatën edhe më shqetësuese. Sipas këtyre të dhënave, deri në vitin 2050 numri i personave me demencë në Shqipëri mund të arrijë në rreth 87 mijë.

Nëse këto parashikime realizohen, numri i personave që do të preken nga demenca do të rritet ndjeshëm, duke shtuar edhe barrën mbi familjet dhe strukturat shëndetësore. Për ekspertët, kjo e bën të nevojshme që mbështetja, kujdesi i specializuar dhe ndërgjegjësimi për sëmundjen të trajtohen si një çështje gjithnjë e më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit