Vetëm 10 ditë pasi Bashkia Klos e prezantoi si një investim të përfunduar për banorët, ura e fshatit Ketë në Njësinë Administrative Xibër është shembur pas reshjeve të shiut.
Lajmi është bërë i ditur nga banorët e zonës, të cilët kanë dërguar pamjet në redaksinë e JOQ Albania. Sipas tyre, ura është dëmtuar rëndë pasi reshjet sollën rritjen e prurjeve të ujit në zonë.
Dhe këtu nis një histori që ngre jo pak pikëpyetje.
Më 10 shtator, kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola, publikoi njoftimin për përfundimin e investimit “Ndërtim Urë Beton Arme, Fshati Ketë, Njësia Administrative Xibër”. Në postim, investimi prezantohej si një ndërhyrje që do të përmirësonte aksesin, sigurinë dhe lëvizjen e banorëve.
Sot, më 20 shtator, banorët tregojnë një pamje krejt tjetër: ura nuk është më në këmbë.
Madje, pas publikimit të pamjeve, banorët kanë rikthyer në vëmendje edhe postimin e inaugurimit. Sipas tyre, njoftimi i kryebashkiakes nuk gjendet më në Facebook, ndërsa ata kanë ruajtur një screenshot të tij. Postimi vijon të jetë i publikuar në Instagram, ku duket se kryebashkiakja ka harruar ta fshijë.
Por “perla” e vërtetë ndodhet në komentet e atij postimi.
Një qytetar, që duket se nuk ishte bindur shumë nga investimi që në momentin e inaugurimit, kishte shkruar:
“Seriozisht e kanë me këtë urë këta. Kjo urë me një ditë shi furtunë të nesërmen, s’është më.”
Në atë kohë mund të dukej thjesht si një koment skeptik. Sot, pas shembjes së urës, komenti tingëllon si një parashikim që askush nuk do të donte ta shihte të realizuar.
Dhe tani le të shohim edhe shifrat.
Sipas të dhënave të prokurimit publik, Bashkia Klos kishte vendosur një fond limit prej 3,926,568 lekësh pa TVSH për ndërtimin e urës. Fitues i tenderit u shpall kompania BAJRAMI N SHPK, me ofertë 3,486,116 lekë pa TVSH. Me TVSH, vlera e ofertës shkon në rreth 4.18 milionë lekë, ose mbi 41 milionë lekë të vjetra.
Dokumentet e tenderit përcaktojnë gjithashtu një afat prej dy muajsh për realizimin e punimeve.
Pra, kemi një investim publik të prezantuar më 10 shtator si vepër e përfunduar dhe një urë që, sipas banorëve dhe pamjeve të dërguara në redaksi, është shembur vetëm 10 ditë më vonë pas reshjeve.
Nëse një urë e re beton-arme nuk arrin t’i rezistojë reshjeve të zakonshme të sezonit, pyetjet që lindin janë të pashmangshme: A janë zbatuar siç duhet specifikimet teknike? A është kryer kolaudimi në mënyrën e duhur? A është kontrolluar cilësia e punimeve dhe materialeve? Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi nëse një investim i sapopërfunduar dëmtohet kaq shpejt?
Për momentin, këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe jo përfundime të nxituara.
Një gjë, megjithatë, është e pamohueshme: ura që më 10 shtator u prezantua si “infrastrukturë më e sigurt dhe më funksionale”, më 20 shtator u kthye në një problem të ri për banorët.
Shiu, këtë herë, nuk priti as inaugurim tjetër, as fjalim tjetër. Thjesht tregoi nëse ura ishte ndërtuar për të qëndruar.