“Na detyruan të punojmë 16 orë pa pagesë, na thërrisnin edhe në ditët e pushimit”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.09.2026, 19:24

Një efektiv i Policisë së Shtetit i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet e punës gjatë sezonit veror në Stacionin e Policisë Plazh në Durrës. Ai ka kërkuar që identiteti i tij të mos bëhet publik, pasi ka frikë se mund të ketë pasoja në vendin e punës.

Efektivi pretendon se gjatë verës ai dhe kolegët e tij janë detyruar të punojnë deri në 16 orë në ditë, ndërsa në disa raste janë thirrur në shërbim edhe gjatë ditëve të pushimit.

Sipas tij, situata ka zgjatur për rreth dy muaj dhe efektivët nuk kanë pasur mundësi të kundërshtonin urdhrat.

“Na kanë mbajtur dy muaj verë nga 16 orë në punë me detyrim, pa asnjë të drejtë dhe jashtë ligjit të Policisë së Shtetit”, shkruan denoncuesi.

Ai ia atribuon këto urdhra drejtuesit të Stacionit të Policisë Plazh, të cilin e identifikon si Romeo, dhe pretendon se punonjësit janë vënë përpara presionit se mund të transferoheshin nëse refuzonin.

Përveç orarit të zgjatur, një tjetër pretendim i ngritur lidhet me pagesën. Efektivi thotë se orët e punuara mbi orarin normal nuk janë kompensuar, ndërsa thotë se punonjësit janë detyruar të paraqiten edhe në ditët e pushimit.

“Na ka detyruar të rrimë 16 orë në punë pa të drejtë page dhe madje duke na sjellë në punë edhe ditët e pushimit”, pretendon ai.

Efektivi thotë se për këtë situatë janë bërë ankesa në disa institucione, por sipas tij, deri tani nuk ka pasur një zgjidhje.

Ai shprehet se presioni dhe ngarkesa e krijuar gjatë muajve të verës e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë vijimin e punës.

“Na e kanë bërë punën me stres. Po shkojmë në punë me zor, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër”, shkruan ai.

Denoncuesi thekson se pas uniformës së policit ka njerëz me familje dhe detyrime, duke kërkuar që kushtet në të cilat janë detyruar të punojnë të merren seriozisht.

JOQ Albania e publikon denoncimin duke ruajtur anonimatin e efektivit dhe mbetet e hapur për reagimin e Policisë së Shtetit apo institucioneve përgjegjëse lidhur me pretendimet për oraret e zgjatura, ditët e pushimit dhe kompensimin e orëve shtesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit