Powerbank-u merr flakë në qiell, avioni detyrohet të kthehet pas 5 orësh fluturim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.09.2026, 09:20

Momente paniku në një avion të KLM mbi Oqeanin Atlantik, pasi një powerbank mori flakë gjatë fluturimit.

Avioni, i cili po kryente itinerarin Amsterdam–Curaçao, u detyrua të ndërpresë udhëtimin dhe të rikthehet në aeroportin Schiphol, rreth pesë orë e gjysmë pas nisjes.

Sipas të dhënave të raportuara nga media holandeze RTL Nieuws, powerbank-u që shkaktoi incidentin i përkiste Camiel Eurlings, ish-presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të KLM. Mediat raportojnë gjithashtu se Eurlings pësoi lëndime të lehta, por kompania ajrore nuk e ka konfirmuar këtë informacion, duke iu referuar privatësisë së pasagjerëve.

Ngjarja ndodhi në pjesën e Business Class, ku pajisja ishte duke u karikuar në momentin që u përfshi nga flakët. Sipas dëshmitarëve, fillimisht u dëgjua një shpërthim dhe menjëherë më pas u vunë re flakë pranë një prej sediljeve.

Ekuipazhi reagoi me shpejtësi dhe arriti të shuante zjarrin, ndërsa kapiteni vendosi të kthejë avionin në Amsterdam për arsye sigurie. Boeing 777 u ul në Schiphol pa probleme të tjera të raportuara.

Në bordin e avionit ndodheshin 322 pasagjerë. Pas kthimit në Amsterdam, ata u akomoduan në një hotel gjatë natës, ndërsa udhëtimi drejt Curaçaos vijoi mëngjesin e ardhshëm me një avion tjetër.

Pamjet e marra pas incidentit tregojnë dëmtime të shkaktuara nga zjarri dhe nxehtësia në zonën pranë sediljes ku ndodhi ngjarja, përfshirë pjesë të dritares dhe mbulesës së saj.

KLM ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit. Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun që paraqesin bateritë litium-jon, të përdorura në powerbank dhe pajisje të tjera elektronike, pasi mbinxehja ose dëmtimi i tyre mund të shkaktojë zjarr dhe tym brenda kabinës së avionit.

Sipas rregullave të KLM, powerbank-ët duhet të transportohen në bagazhin e dorës, në mënyrë që të jenë të aksesueshëm gjatë fluturimit, ndërsa përdorimi dhe karikimi i tyre gjatë udhëtimit ajror nuk lejohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit