“Nuk jemi në Xhamajkë, jemi në Shqipëri”/ Shqiptari përplaset me turistët për veshjen e tyre

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 20.09.2026, 00:41

Një video e publikuar në rrjetet sociale dhe e dërguar në redaksinë e JOQ Albania ka hapur debat për një përplasje verbale mes një burri shqiptar dhe disa turistëve të huaj me origjinë afrikane, të cilët ndodheshin në një lokal në Tiranë.

Në video, burri u drejtohet turistëve duke komentuar veshjen e tyre, ndërsa një prej personave që ndodhet me ta i kërkon të largohet dhe të mos i shqetësojë.

Biseda vijon me debate, ndërsa personi që filmon i thotë se po e filmon pikërisht sepse po i shqetëson.

Në një moment ai i drejtohet personit:

“Çfarë veshin njerëzit nuk ka lidhje me ty. Ti nuk je ai që po e vesh, kështu që pse të shqetëson?”

Më tej, ai i kërkon vazhdimisht të largohet dhe t’i lërë të qetë.

Në video dëgjohet edhe një koment në shqip:

“Ne nuk lëmë në lagje të kalojnë nudo me brekë.”

Nga ana tjetër, turistët theksojnë se janë me pushime dhe se nuk ndihen rehat me mënyrën se si po u drejtohet personi.

Në një moment të videos dëgjohet edhe shprehja:

“Kjo është Shqipëria, nuk jemi në Xhamajkë.”

Ndërkohë, personi pyetet nëse është polic dhe përgjigjet se është “polic, për parkimin”. Nga pamjet e videos nuk mund të konfirmohet nëse ai është punonjës policie.

Nuk është e qartë nga videoja nëse ka pasur ndonjë arsye tjetër për ndërhyrjen e tij apo çfarë e ka paraprirë përplasjen.

JOQ Albania publikon videon dhe sjell debatin e krijuar, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes dhe identiteti apo statusi i personit mbeten për t’u verifikuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit