Një 29-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Guidonia të Italisë, pasi policia zbuloi mbi 414 kilogramë hashash në automjetin e tij dhe në disa ambiente të përdorura si depo. I riu u ndalua teksa po ngarkonte në bagazhin e makinës disa valixhe, ku u gjetën rreth 98 kilogramë lëndë narkotike.
Kontrolli i mëtejshëm çoi policinë në disa ambiente në Guidonia dhe Romë, pasi te 29-vjeçari u gjet një tufë çelësash. Në një prej ambienteve, sasi të mëdha hashashi ishin fshehur brenda frigoriferëve të përshtatur, ndërsa në një garazh u gjetën materiale për paketimin e dozave dhe shënime që dokumentonin sasitë e drogës.
Në total, autoritetet italiane sekuestruan më shumë se 414 kilogramë hashash, me një vlerë të përllogaritur mbi 4 milionë euro në tregun me pakicë. I riu akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin, ndërsa gjykata ka konfirmuar arrestimin dhe ka caktuar masën e arrestit në burg.