Euro arrin minimum të ri historik

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.09.2026, 07:27

Euro vijon rënien ndaj Lekut, duke zbritur në 91.54 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Monedha europiane është zhvlerësuar me 5.5% që nga fillimi i vitit, ndërsa rënia vijon edhe gjatë shtatorit, ndryshe nga tendenca e zakonshme e stabilizimit të kursit pas pikut sezonal të verës. Agjentët e tregut e lidhin pjesërisht këtë ecuri me zgjatjen e sezonit turistik dhe flukset e vizitorëve të huaj, por faktorët sezonalë nuk duket se mjaftojnë për të shpjeguar dobësimin e vazhdueshëm të Euros.

Presionet mbi kursin duket se po mbështeten edhe nga përmirësimi i bilancit të pagesave. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente ra në 361 milionë euro, 40.6% më pak se një vit më parë dhe niveli më i ulët për këtë periudhë që nga viti 2018. Kontribut të rëndësishëm dhanë eksportet e shërbimeve dhe remitancat. Bilanci i shërbimeve rezultoi pozitiv me rreth 1.79 miliardë euro, ndërsa turizmi gjeneroi 957 milionë euro të ardhura neto, në rritje me 20%.

Një tjetër faktor është rritja e investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në 1.144 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë, 50% më shumë se një vit më parë, të ndikuara ndjeshëm nga një projekt i madh në pasuritë e paluajtshme. Vetëm në tremujorin e dytë, investimet arritën 741 milionë euro, me rritje 86%. Ndërkohë, suficiti fiskal po kufizon ofertën e Lekut në treg: në shtatëmujorin 2026, buxheti rezultoi me suficit 50.7 miliardë lekë, ose 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit