“Këta dy persona tentuan të hapin derën e apartamentit, nuk e di kush janë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.09.2026, 01:11

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të pazakontë me të cilën është përballur mbrëmjen e së premtes, në kompleksin 'Golden Park 3'.

Ajo ka dërguar në redaksi pamjet e kamerës së sigurisë së banesës, ku shfaqen një vajzë dhe një djalë i ri duke qëndruar përpara derës së apartamentit dhe duke tentuar ta hapin atë.

Sipas denoncueses, dy personat nuk janë të njohur për familjen dhe nuk kanë pasur asnjë arsye për të qenë përpara derës së banesës. Ajo thotë se nga zhurmat e regjistruara në video kuptohet se po ndërhynin te brava, ndërsa në një moment njëri prej tyre largohet dhe më pas rikthehet sërish.

“Janë këta dy persona përpara apartamentit tonë që tentojnë të hapin derën. Nuk e dimë se kush janë dhe nuk e dimë pse po përpiqen të hapin derën e shtëpisë tonë. Dallohet qartë nga zhurma se çfarë po kërkojnë poshtë dhe ritentojnë përsëri për të hapur derën. Këtu ikin pak dhe vijnë sërish”, shprehet qytetarja teksa komenton pamjet.

Në komunikimin me JOQ Albania, ajo ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:26 dhe se nuk i njeh dy personat. Sipas saj, nga pamjet dhe zhurmat e regjistruara, dyshohet se njëri prej tyre kishte edhe mjete me vete dhe po tentonte të ndërhynte te brava.

JOQ Albania nuk mund të përcaktojë nga pamjet se cili ka qenë qëllimi i dy personave, por videoja tregon qartë momentet kur ata qëndrojnë te dera dhe tentojnë ta hapin atë.

Denoncuesja ka kërkuar publikimin e pamjeve me shpresën që personat të identifikohen nga dikush që mund t’i njohë, si dhe për të paralajmëruar banorët e tjerë që të tregohen të kujdesshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit