Botoxi kontrabandë, Gremi i pandehur, çfarë ndodh me Farian?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.09.2026, 08:26

Biznesmeni Dritan Gremi dhe shoqëria “Gremi Wellness” janë marrë të pandehur në kuadër të dosjes së botoksit kontrabandë, një hetim që lidhet me operacionin “Botulinum Toxin”, të zhvilluar nga autoritetet shqiptare në tetor 2024. Sipas të dhënave të bëra publike, Gremi dhe kompania që ai administron dyshohen se kanë futur në Shqipëri produkte “Botox” me princip aktiv Botulinum toxin, të cilat nuk dispononin autorizim për tregtim në vend. Çështja ndodhet aktualisht në fazën e seancës paraprake në Gjykatën e Tiranës, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për 22 shtator 2026.

Në kuadër të hetimit janë marrë në shqyrtim edhe pajisje mjekësore të pacertifikuara, të konstatuara gjatë kontrolleve në ambientet e “Gremi Clinic”. Hetimi nisi pas operacionit “Botulinum Toxin”, gjatë të cilit autoritetet kryen kontrolle në rreth 30 klinika estetike dhe parukeri në Tiranë, nën dyshimet se në këto ambiente përdorej botoks i paregjistruar dhe i paautorizuar për tregtim në Shqipëri. Gjatë kontrolleve u sekuestruan produkte që përmbanin toksinë botulinike, ndërsa hetuesit u përqendruan edhe te mënyra e furnizimit dhe shpërndarjes së produkteve në klinikat estetike.

Në fazat e para të operacionit, në kërkim u shpallën tre persona, mes tyre edhe mjeku Skerdi Faria, administrator i klinikës “Keit”, i dyshuar në atë kohë për përfshirje në aktivitetin e lidhur me përdorimin e botoksit të paregjistruar. Pas zhvillimit të hetimit, sipas të dhënave të bëra publike, çështja ndaj Farias është pushuar, duke mos u përballur tashmë me akuzat në këtë dosje. Pas afro dy vitesh nga operacioni i vitit 2024, procedimi ka vijuar me marrjen të pandehur të Dritan Gremit dhe “Gremi Wellness”, ndërsa për Skerdi Faria procedimi është mbyllur me pushim të çështjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit