Nuk u kthye në burg pas lejes së 16-të, Policia greke në kërkim të Alket Rizait

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.09.2026, 09:26

Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për gjetjen dhe arrestimin e Alket Rizait, pasi 48-vjeçari nuk është rikthyer në burgun ku po vuante dënimin, në përfundim të një lejeje të dhënë nga autoritetet.

Sipas zëdhënëses së Policisë Greke, Konstantia Dimoglidou, Rizai duhej të paraqitej në institucionin penitenciar në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës, 14 shtator, por nuk u kthye brenda afatit të përcaktuar.

“Që nga momenti kur nuk u paraqit në institucionin penitenciar, siç ishte i detyruar, Policia Greke po e kërkon jo vetëm në zonën e gjerë të Atikës, ku është parë për herë të fundit pas incidentit në një lokal, por në të gjithë territorin e vendit”, deklaroi Dimoglidou për televizionin shtetëror grek ERT.

Zëdhënësja bëri të ditur gjithashtu se Rizai kishte përfituar më herët nga 16 leje nga burgu dhe se, deri tani, nuk kishte shkelur kushtet e asnjërës prej tyre.

Në fokus të hetimeve është edhe një incident me të shtëna armësh, i cili dyshohet se ka ndodhur në orët e para të së dielës pranë një beach bar-i në Anavisos. Autoritetet greke po hetojnë nëse Rizai ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

Emri i Alket Rizait është i njohur prej vitesh për autoritetet greke. Ai u bë veçanërisht i njohur për dy arratisje nga burgu i Korydallos, të realizuara me helikopter në vitet 2006 dhe 2009.

Në të dyja arratisjet, Rizai ishte larguar së bashku me të dënuarin grek Vasilis Palaiokostas. Përgjatë viteve, Rizai është dënuar për vepra të rënda penale dhe ka qenë në fokus të vazhdueshëm të autoriteteve greke të drejtësisë dhe policisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit