Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se nuk pret tensione apo incidente më 16 shtator, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Syla ka thënë se OVL-UÇK nuk ka informacione për ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës dhe se veteranëve u është bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.
Deklarata e tij vjen pas paralajmërimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila ka njoftuar se më 16 shtator mund të ketë protesta të mëdha në Kosovë dhe ka këshilluar qytetarët amerikanë të shmangin zonat ku priten tubime.
“Si OVL nuk kemi ndonjë informacion për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj nuk e shohim ndonjë përshkallëzim apo incident”, ka deklaruar Syla.
Ai ka kërkuar gjithashtu që edhe komuniteti serb në Kosovë të ruajë qetësinë, duke thënë se çdo provokim në këtë periudhë do të ishte i dëmshëm.
Syla ka theksuar se për OVL-UÇK-në i vetmi vendim i pranueshëm do të ishte lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka shtuar se asnjë vendim gjyqësor, sipas tij, nuk mund ta shpallë UÇK-në organizatë kriminale.
“Çdo vendim tjetër për ne do të jetë i papranueshëm dhe do ta kundërshtojmë në mënyrë ligjore e kushtetuese, por jo duke dëmtuar shtetin tonë”, ka thënë Syla.