Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për President: “Mungoi mbështetja në Kuvend”

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 14.09.2026, 19:46

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga gara për President të Kosovës, duke deklaruar se kandidatura e tij ishte rezultat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për një kandidat jopartiak.

Sejdiu ka bërë të ditur se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së dhe më pas ishte ftuar në një takim të përbashkët me delegacionet e dy partive, ku i ishte komunikuar pajtimi për emrin e tij.

Ai ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të situatës së rënduar politike dhe nevojës për të zhbllokuar ngërçin institucional në vend.

Megjithatë, sipas tij, mungesa e mbështetjes së nevojshme në Kuvend dhe përfshirja e procesit në përplasjet politike e kanë bërë të pamundur vazhdimin e kandidaturës.

“Kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës, për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe devijimit të procesit në dinamikat e brendshme politike”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka bërë të ditur se vendimin ua kishte komunikuar paraprakisht përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën kandidaturën e tij.

Në fund, Sejdiu u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale dhe të shmangin përplasjet e mëtejshme politike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit