Një i paraburgosur ka ndërruar jetë në Klinikën e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi gjatë ditës kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, bëhet fjalë për personin me inicialet K.K., i cili mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se i ndjeri ishte Korab Kabashi.
Sipas autoriteteve, ai kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të rënduar shëndetësore. Pavarësisht trajtimit nga personeli mjekësor në burg, gjendja e tij nuk ishte përmirësuar.
Për shkak të nevojës për trajtim të specializuar, ai fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa më pas rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK.
Pas pranimit në QKUK, stafi mjekësor kishte nisur menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimin, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë rreth orës 23:20.
Rrethanat dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen pas autopsisë, ndërsa organet kompetente kanë nisur procedurat ligjore.