Familja e Rea Rakës ka njoftuar se këtë të diel, më 13 shtator, do të mbahet e pamja për të në Prishtinë.
E pamja do të zhvillohet nga ora 09:00 deri në 18:00, ku familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Rean do të mund të jenë pranë familjes në këto momente të vështira.
Babai i saj, Petriti, ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e vajzës, duke treguar se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, familja nuk kishte mundur ta përcillte dhe t’i jepte lamtumirën e fundit ashtu siç meritonte.
“Edhe pse plagët fizike janë shëruar sadopak, dhimbja në shpirt mbetet e madhe”, ka shkruar ai në emër të familjes. Familjarët kanë ftuar të afërmit, miqtë dhe dashamirët që të jenë pranë tyre dhe ta kujtojnë Rean në këtë periudhë të dhimbshme.
Rea Raka humbi jetën më 21 korrik pas një aksidenti tragjik në afërsi të Komoranit, ku një aksident trafiku i mori jetën 24-vjeçares, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të lënduar.