Arrestohet në Itali shqiptari, i kapen 70 kg kokainë dhe mbi 170 mijë euro

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.09.2026, 07:28

Një 41-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi gjatë kontrollit të banesës së tij në Bernareggio, në provincën e Monza e Brianza, policia gjeti rreth 70 kilogramë kokainë, 200 gramë hashash dhe mbi 170 mijë euro para të gatshme. Operacioni u zhvillua të shtunën, më 5 shtator, nga efektivët e Seksionit Antidrogë të Squadra Mobile të Milanos, të cilët e ndaluan shqiptarin ndërsa ndodhej në një automjet tip Jeep Renegade.

Sipas mediave italiane, 41-vjeçari ishte prej kohësh në vëzhgim të autoriteteve dhe dyshohej se ishte aktiv në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Milanos dhe provincën e Monzës. Pas kontrollit të automjetit, policia vijoi me kontrollin e apartamentit që ai kishte në dispozicion, ku në dhomën e gjumit, brenda disa çantave të mëdha, u gjetën pako të vulosura me kokainë dhe hashash. Gjithashtu, u sekuestruan dy telefona celularë, një orë Rolex dhe një byzylyk me vlerë, për të cilat po kryhen verifikime mbi origjinën e tyre.

Shqiptari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen, me rrethanën rënduese të sasisë së madhe, dhe u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Monzës. Hetuesit po analizojnë telefonat e sekuestruar për të zbuluar kontakte dhe persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të trafikut. Ndërkohë, autoritetet italiane po hetojnë origjinën e drogës, destinacionin e saj dhe rolin e 41-vjeçarit në aktivitetin e dyshuar kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit