Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një gjobë që ai e konsideron të padrejtë, ndërsa pretendon se gjatë komunikimit me efektivët e policisë është përballur edhe me ironi dhe tallje.
Në videon e dërguar në redaksi dëgjohet qytetari duke kërkuar që të verifikohet nëse automjeti i tij kishte apo jo zhurmë, ndërsa sqaron se nuk po i jepte gaz mjetit.
Në një moment, efektivja që ndodhet në vendngjarje i drejtohet atij me fjalët: “Prapë për 20 mijë lekë bën? T’i jap unë 20 mijë lekë?”
Qytetari reagon duke i thënë se nuk e ka çështjen te shuma e gjobës, por te mënyra se si po i drejtohet efektivja.
“S’e kam për 20 mijë lekëshin... se i gris që tani këtu, për Zotin. [...] Po çfarë police je ti që më thua ‘a për 20 mijë lekë bën?’”, dëgjohet të thotë ai.
Në vijim ndërhyn edhe një tjetër efektiv, të cilin denoncuesi e identifikon si shefin e qarkullimit rrugor, Jetnor Shira.
Në komunikimin e regjistruar, ai i thotë qytetarit se duhet t'u bindet ligjeve shqiptare dhe, për ta ilustruar, sjell si shembull mënyrën e veshjes.
“Në Shqipëri, p.sh. me atlete, me pantallona të shkurtra, nuk lejohet me çorape të gjata. Tani çfarë të bëj? Je i detyruar të bindesh!”, dëgjohet të thotë efektivi.
Denoncuesi pretendon se mënyra e komunikimit me të ka qenë ironike dhe se në vend që t'i sqarohej situata lidhur me gjobën, ai është përballur me komente që, sipas tij, e kanë vënë në lojë.
JOQ Albania publikon videon e dërguar nga qytetari për të sjellë të plotë komunikimin mes tij dhe efektivëve, ndërsa mbetet e paqartë nëse gjoba është vendosur në përputhje me rregullat dhe cila ka qenë konkretisht shkelja e konstatuar nga policia.
Përtej gjobës, rasti ngre një tjetër pikëpyetje: a është kjo mënyra se si duhet t'u drejtohet policia qytetarëve që kërkojnë sqarim për një masë administrative?