Detaje të reja vijojnë të dalin nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Shkodër, ku mbeti i vrarë 24-vjeçari Ylber Luli. Konflikti me 25-vjeçarin Andri Vulaj dyshohet se ka nisur në zonën e Gjuhadolit, pas një përplasjeje verbale mes tyre, që sipas të dhënave paraprake lidhej me një vështrim.
Më pas, Vulaj ka shkuar pranë banesës së Ylber Lulit, ku është përfshirë në një konflikt fizik me 24-vjeçarin dhe babain e tij, 63-vjeçarin Qamil Luli. Sipas dëshmisë paraprake të Vulajt, ai është sulmuar me thikë nga babë e bir dhe ka nxjerrë armën e zjarrit, duke pretenduar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes. Një plumb ka prekur në kraharor Ylber Lulin, i cili u transportua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Ndërkohë, Andri Vulaj dhe Qamil Luli kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjes dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shkodrës ka arrestuar 25-vjeçarin Vulaj, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.