Një ditë pasi JOQ Kosova publikoi rastin e vjedhjes së arkës në një xhami në territorin e Lipjanit, Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për vjedhje të rënda në disa lokacione.
Sipas Policisë, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Njësiti i Hetimeve në Ferizaj, në asistencë të hetuesve të Stacionit Policor në Lipjan, është realizuar kontroll në një lokacion në Ferizaj, ku janë arrestuar dy të dyshuar.
Bëhet fjalë për A.M., 39 vjeç, dhe B.K., 31 vjeç, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në disa raste vjedhjesh, përfshirë edhe objekte fetare në territorin e Komunës së Lipjanit.
Policia ka bërë të ditur se të njëjtit dyshohet se janë të përfshirë edhe në vjedhjen e raportuar më 5 shtator 2026 në xhaminë e fshatit Nikadin të Ferizajt.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Me datën 05.09.2026, Njësiti i Hetimeve i stacuonit policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të stacionit policor në Lipjan, ka realizuar një kontroll në një lokacion të Ferizajt.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar dy persona, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme, përfshirë objekte me rëndësi të veçantë – xhami, në territorin e Komunës së Lipjanit.
Gjatë verifikimit të të dyshuarve, është konstatuar se A.M (39 vjeç dhe B.K (31 vjeç) dyshohet se janë të përfshirë edhe në rastin e “Vjedhjes së rëndë” të raportuar më 05.09.2026 në xhaminë e fshatit Nikadin, të Ferizajt.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë dorëzuar për procedura të mëtejme te Njësiti i Hetimeve i stacionit policor në Lipjan”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimet për rastet në fjalë po vazhdojnë.