“Alarm për arsimin në Kosovë! PISA 2025 nxjerr rezultate të dobëta, nxënësit larg mesatares

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 08.09.2026, 11:38

Janë publikuar rezultatet e PISA-s 2025 dhe shifrat nuk sjellin lajme të mira për arsimin në Kosovë.

Nxënësit kosovarë vazhdojnë të mbeten dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në shkencë, lexim dhe matematikë, ndërsa krahasuar me vitin 2022 pothuajse nuk ka përmirësim.

Në testimin e zhvilluar nga 10 deri më 30 maj 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.

Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Në shkencë rezultati ka mbetur i njëjtë me vitin 2022, ndërsa në lexim është shënuar rënie nga 342 në 340 pikë.

Situata paraqitet edhe më keq në matematikë, ku rezultati ka rënë për 5 pikë krahasuar me testimin e kaluar.

Rezultati më i lartë është regjistruar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë, por edhe këtu Kosova vazhdon të jetë nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një diferencë të konsiderueshme mes vajzave dhe djemve.

Në shkencë vajzat kanë marrë 366 pikë kundrejt 347 të djemve, ndërsa në lexim diferenca shkon në plot 36 pikë: 358 për vajzat dhe 322 për djemtë.

Në matematikë rezultatet janë pothuajse të njëjta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.

Gjetjet preliminare të PISA-s 2025 nxjerrin në pah nevojën urgjente për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin e aftësive praktike të nxënësve, sidomos në mendimin kritik, interpretimin e informacionit, zgjidhjen e problemeve dhe përdorimin e njohurive në situata reale.

Rezultatet tregojnë edhe një herë se sistemi arsimor në Kosovë vazhdon të ketë probleme serioze, ndërsa përmirësimi në krahasim me testimet e mëparshme mbetet minimal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit