Luka Modric do të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares së Kroacisë. Konfirmimi ka ardhur zyrtarisht nga Federata Kroate e Futbollit, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se mesfushori i Milanit do të jetë në dispozicion të përfaqësueses për ndeshjet e ardhshme të Nations League.
Kapiteni kroat pritet të jetë pjesë e skuadrës në përballjet ndaj Çekisë, Spanjës dhe Anglisë, duke vijuar kështu një karrierë të jashtëzakonshme me fanellën e kombëtares.
“Kapiteni i Kroacisë, Luka Modric, do të jetë pjesë e skuadrës kombëtare për sfidat e Nations League ndaj Çekisë, Spanjës dhe Anglisë”, thuhet në njoftimin e Federatës Kroate.
Sipas federatës, Modric i ka konfirmuar trajnerit Slaven Bilic dhe presidentit Marijan Kustic gatishmërinë e tij për të vijuar me kombëtaren. Mesfushori veteran është gati të vazhdojë rrugëtimin me skuadrën përfaqësuese, me të cilën ka regjistruar 202 paraqitje dhe ka shkruar faqe të rëndësishme në historinë e futbollit kroat.
Vendimi i tij është pritur me entuziazëm edhe nga trajneri Slaven Bilic, i cili nuk e ka fshehur kënaqësinë për faktin se do të ketë sërish në dispozicion një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kroacisë.
“Sigurisht që vendimi i Lukës më bën shumë të lumtur. Të gjithë e dimë se çfarë i sjell ai Kroacisë, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Mezi pres të punoj sërish me të pas 14 vitesh. Të dy kemi ambicien për ta mbajtur Kroacinë në majën e futbollit, si një skuadër të suksesshme përkrah ekipeve më të mira të botës”, është shprehur Bilic.
Në moshën 40-vjeçare, Luka Modric duket se ende nuk ka ndërmend t’i japë fund aventurës së tij me Kombëtaren kroate, duke mbetur një nga shtyllat kryesore të skuadrës.