45 vite ndryshime klimatike në Shqipëri

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.09.2026, 10:00

Shqipëria po përjeton një klimë gjithnjë e më të ngrohtë dhe të ndryshueshme, sipas analizës së të dhënave për periudhën 1979–2023. Temperaturat mesatare vjetore janë rritur në të gjithë territorin, me sinjalet më të forta të ngrohjes në zonat malore dhe lindore. Korça kryeson me një rritje prej 2.4°C, e ndjekur nga Kukësi me 2.1°C, ndërsa në zonat qendrore rritja varion rreth 1.4–1.7°C. Në Tiranë, tendenca e ngrohjes është bërë veçanërisht e dukshme që nga fundi i viteve 1990. Nga 540 muaj të analizuar, 41% rezultojnë më të ngrohtë se norma klimatike, kundrejt 30% normalë dhe 29% më të ftohtë.

Ndryshime të rëndësishme janë regjistruar edhe në regjimin e reshjeve. Reshjet mesatare vjetore në Shqipëri janë rritur me rreth 14.7% gjatë 45 viteve, me ndryshime që variojnë nga rreth 9% deri në 22%. Rritjet më të mëdha janë shënuar në Fieri, Vlora dhe Gjirokastër, me rreth 21–22%, ndërsa në Tiranë, Durrës dhe Elbasan rritja është rreth 13%. Megjithatë, më shumë reshje vjetore nuk do të thotë domosdoshmërisht më pak thatësirë. Në Tiranë, 39% e muajve të periudhës së analizuar janë klasifikuar si të thatë, ndërsa vetëm 32% si të lagësht. Korriku dhe gushti mbeten muajt më të thatë, ndërsa reshjet priren të përqendrohen në më pak episode, por potencialisht më intensive.

Sipas Klima sot, këto ndryshime rrisin sfidat për bujqësinë, burimet ujore, pyjet, biodiversitetin dhe infrastrukturën. Periudhat e gjata pa reshje mund të ndikojnë në prodhimin bujqësor dhe të shtojnë stresin hidrik të bimësisë, ndërsa reshjet intensive në intervale të shkurtra mund të rrisin rrezikun e përmbytjeve, erozionit dhe dëmtimeve infrastrukturore. Ndikimet ndryshojnë sipas territorit: zonat si Korça dhe Kukësi përballen me ngrohje më të theksuar, ndërsa territore si Fieri, Vlora dhe Gjirokastra me rritje më të madhe të reshjeve. Të dhënat e 45 viteve të fundit tregojnë se ndryshimi klimatik nuk është më vetëm një skenar i së ardhmes, por një realitet që po prek tashmë Shqipërinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit