Një person është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e sotme në rrugën “Agim Ramadani”, në qendër të Prishtinës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 20:00 është raportuar për një person pa shenja jete në rrugën Agim Ramadani. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull. Policia po punon në sqarimin e rrethanave të rastit”, deklaroi Ahmeti.
Identiteti i viktimës dhe shkaqet e vdekjes nuk janë bërë ende të ditura. Policia po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rastit.