“Punime deri në 3 të mëngjesit”, banorët denoncojnë zhurmat dhe rrezikun nga kantieri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.09.2026, 00:24

Një kantier ndërtimi në rrugën “5 Maji” në Tiranë është kthyer në burim shqetësimi për banorët e zonës, të cilët raportojnë se punimet vijojnë edhe në orët e vona të natës.

Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë duke denoncuar situatën, ndërsa ka dërguar edhe pamje nga kantieri. Sipas saj, zhurmat e krijuara nga makineritë dhe lëvizja e mjeteve të rënda po vijojnë deri vonë, duke shqetësuar banorët dhe veçanërisht familjet me fëmijë të vegjël.

“Punimet vazhdojnë deri vonë në mesnatë apo gjatë orëve të vona të natës”, shkruan denoncuesja, e cila shton se kjo nuk është një situatë e izoluar.

Në komunikimin me JOQ Albania, qytetarja ka bërë të ditur se në raste të tjera punimet kanë vijuar edhe deri në orën 3 të mëngjesit.

Por shqetësimi i banorëve nuk lidhet vetëm me zhurmat.

Sipas denoncimit, gjatë punimeve krijohet pluhur dhe ndotje nga gazrat e mjeteve, ndërsa kamionë dhe betoniere të përmasave të mëdha kalojnë shumë pranë hyrjeve të pallateve.

Banorja ngre gjithashtu shqetësimin për sigurinë, pasi në këtë zonë lëvizin edhe fëmijë dhe, sipas saj, jo gjithmonë janë marrë masat e nevojshme për krijimin e hapësirave të sigurta për kalim.

“Shpeshherë mungesa e masave mbrojtëse apo korsive të sigurta përbën një rrezik real dhe akut për jetën e banorëve”, shprehet ajo.

Qytetarja thekson se ky problemi shqetëson një numër të madh banorësh të zonës.

Përmes publikimit të këtij denoncimi, banorët kërkojnë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar oraret e punimeve, kushtet e sigurisë në kantier dhe ndikimin që aktiviteti i tij po ka te banorët përreth.

Nëse punimet vijojnë realisht deri në orët e para të mëngjesit, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: kush kontrollon respektimin e rregullave dhe të qetësisë së banorëve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit