Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës kanë paralajmëruar grevë nga 1 shtatori.
Vendimi për grevë vjen pas pakënaqësive për mosrealizimin e pagave të mbetura për një pjesë të muajit korrik.
Sipas Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, kërkesat e tyre deri tani nuk kanë marrë zgjidhje, pavarësisht komunikimeve dhe kërkesave të vazhdueshme.
Kreu i kësaj federate, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje dhe përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.
Nga sindikata kanë theksuar se mbeten të hapur për dialog, me qëllim që situata të zgjidhet sa më shpejt.