Pamje dramatike janë filmuar brenda anijes FILOJET në momentet e fundit para përmbysjes së tij në brigjet e Kyrenias, në veri të Qipros.
Në video duken pasagjerët brenda anijes, ndërsa situata përshkallëzohet në momentin kur mjeti lundrues nis të marrë ujë. Paniku përfshin pasagjerët, teksa anija humbet qëndrueshmërinë dhe më pas përmbyset.
FILOJET ishte nisur nga porti i Kyrenias me destinacion Taşucun në provincën e Mersinit, Turqi, kur vetëm pak kohë pas nisjes ekuipazhi raportoi se anija po merrte ujë. Sipas autoriteteve, në bord ndodheshin 267 persona: 259 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi.
Anija u përmbys rreth katër milje detare larg Kyrenias, duke shkaktuar një operacion masiv kërkim-shpëtimi. Në zonë u angazhuan mjete të rojes bregdetare të Qipros së Veriut dhe Turqisë, helikopterë, si edhe mjete civile që ndihmuan në nxjerrjen e pasagjerëve nga deti.
Sipas bilancit të raportuar nga autoritetet, 237 persona janë shpëtuar, 7 kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po përpiqen të lokalizojnë personat që ende nuk janë gjetur.
Shkaku i saktë i incidentit mbetet ende nën hetim. Autoritetet kanë bërë të ditur se anija filloi të marrë ujë pak pas nisjes, ndërsa kushtet e motit në zonë po shqyrtohen si pjesë e hetimit për rrethanat që çuan në përmbysjen tragjike.