Një përplasje e tensionuar mes një të riu dhe dy vëllezërve është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, pas një konflikti që, sipas denoncuesit, nisi për shkak të shpejtësisë me të cilën ai po lëvizte në një zonë të banuar.
Ngjarja ka ndodhur të hënën në fshatin Çermë-Sektor të Lushnjës. I riu pretendon se po lëvizte brenda shpejtësisë së lejuar për zonën, ndërsa dy personat, të cilët ai i identifikon si Land Musaku dhe vëllai i tij, i kanë kërkuar të hapte rrugën.
Në videon e dërguar në redaksi dëgjohet përplasja verbale mes palëve. Dy personat i kërkojnë disa herë të riut të hapë derën e automjetit, ndërsa e shajnë dhe e kërcënojnë me fjalë banale.
I riu refuzon ta hapë derën dhe përpiqet të mos e përshkallëzojë situatën, ndërsa u përgjigjet duke u kërkuar të mos e shajnë.
Në një moment, ai u kujton se ndodhet në një zonë të banuar dhe se po lëvizte me shpejtësi të ulët, duke u thënë se nëse dëshironin ta parakalonin, mund ta bënin.
“Është zonë e banuar! Eci unë me 20 km/h, po deshe të parakalosh, parakalo!”, dëgjohet të thotë i riu në video.
Nga ana tjetër, njëri prej personave vijon me kërcënimet dhe i kërkon sërish të hapë derën e makinës.
Denoncuesi pretendon se përplasja nuk është mbyllur me këtë incident. Sipas tij, dy personat i kanë shkuar më pas pranë banesës dhe kanë ushtruar presion ndaj prindërve të tij, ndërsa ai nuk ndodhej aty në atë moment.
“Sa erdha nga puna dhe sa u futa të bëja dush, ndërkohë erdhën dhe i bënin presion prindërve”, pretendon ai.
I riu thotë gjithashtu se dy personat i kanë thënë se “nuk pyesin as për policinë”, ndërsa shprehet i shqetësuar veçanërisht për faktin që, sipas tij, prindërit janë përballur me këto kërcënime.
Ai deklaron se nuk e ka denoncuar rastin në polici dhe kërkon që ngjarja të bëhet publike.
Pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania dokumentojnë përplasjen verbale dhe kërcënimet e dëgjuara gjatë incidentit, ndërsa pretendimet e tjera të denoncuesit mbeten për t’u verifikuar.