Një breshkë uji është gjetur e ngordhur sot gjatë lundrimit në rrugën detare Karaburun–Vlorë. Sipas personave që e kanë konstatuar, breshka dyshohet se kishte gëlltitur mbetje plastike, konkretisht një qese plasmasi dhe kjo mund t’i ketë shkaktuar ngordhjen.
Pas konstatimit të rastit, është njoftuar Policia Kufitare, me shpresën që autoritetet të marrin në dorëzim breshkën dhe të kryejnë verifikimet e nevojshme për të përcaktuar më qartë shkakun e ngordhjes.
Ngjarja është një tjetër dëshmi e pasojave që mbetjet plastike dhe ndotja e detit mund të kenë mbi jetën detare. Breshkat e ujit shpesh ngatërrojnë qeset plastike me ushqimin, duke i gëlltitur ato dhe duke rrezikuar seriozisht jetën.
Rasti ngre edhe një herë nevojën për më shumë kujdes dhe ndërgjegjësim për mbrojtjen e detit dhe gjallesave që jetojnë në të. Shpresohet që autoritetet ta marrin në konsideratë rastin dhe të ndërhyjnë për dokumentimin e tij.