Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e zonës së Sanatoriumit, pranë Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të cilët thonë se prej ditësh po përballen me të njëjtën situatë: muzikë të lartë deri në orët e vona të natës.
Sipas qytetarit që na ka shkruar, thuajse çdo mbrëmje, rreth orës 23:30, zona përfshihet nga zhurma e muzikës së dasmave dhe kjo situatë përsëritet sa herë që përfundon një ceremoni dhe nis tjetra.
“Mbaron një dasmë, fillon një tjetër. Jemi të detyruar ta dëgjojmë këtë muzikë të lartë për një javë për çdo dasmë”, shkruan qytetari.
Për banorët, problemi nuk është festa e dikujt tjetër, por fakti që muzika zhvillohet në një zonë të banuar, ku jetojnë familje me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe persona që duhet të zgjohen herët për të shkuar në punë.
“Jemi bërë të ikim nga shtëpia se nuk vëmë dot fëmijët në gjumë. Vetë po shkojmë si të trullosur në punë, pasi nuk flemë dot para orës 01:00”, vijon denoncimi.
Qytetari thotë se ka telefonuar edhe Policinë për të raportuar situatën, por pretendon se nga salla operative i është komunikuar se deri në orën 00:00 lejohet muzika.
Nëse dikush po feston dasmën e tij, sigurisht që ka të drejtë ta shijojë atë ditë. Por pyetja që shtrojnë banorët është tjetër: pse duhet që gëzimi i një familjeje të kthehet në pagjumësi për dhjetëra apo qindra familje të tjera?
Në një zonë të banuar, njerëzit kanë fëmijë që duhet të flenë, kanë punë ku duhet të paraqiten herët në mëngjes dhe kanë nevojë për qetësi në shtëpitë e tyre. Jo të gjithë kanë pse të paguajnë “biletën” e dasmës së dikujt tjetër, duke qëndruar zgjuar deri pas mesnate.
Ky është një shqetësim që banorët thonë se e kanë ngritur edhe më herët, ndërsa situata, sipas tyre, vijon të përsëritet.
Në vitin 2026, ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë se të festosh nuk do të thotë të detyrosh një lagje të tërë të festojë bashkë me ty.
Banorët kërkojnë që autoritetet të marrin masa dhe të vendosin një ekuilibër mes të drejtës për të festuar dhe të drejtës së qytetarëve për të pushuar në shtëpitë e tyre.