Një qytetar shqiptar me nënshtetësi amerikane i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një incident që, sipas dëshmisë së tij, ka ndodhur në një prej zonave më të frekuentuara të Vlorës.
Qytetari tregon se ishte duke lëvizur me biçikletë kur një automjet i Policisë Bashkiake të Vlorës është ndalur në mes të rrugës, duke i prerë rrugën dhe, sipas tij, për pak sa nuk e ka përplasur.
Ai pretendon se i ka kërkuar punonjësve të lëviznin automjetin, por situata është përshkallëzuar. Sipas qytetarit, një prej punonjëseve ka dalë nga makina dhe i është drejtuar me një fjalor të rëndë, ndërsa më pas e ka kërcënuar se do ta shoqëronte në polici.
Por, sipas dëshmisë së tij, situata ka marrë një tjetër drejtim në momentin kur ai ka nisur t'u kërkojë punonjësve të Policisë Bashkiake të respektojnë ligjin dhe të sqarojë kompetencat që kanë.
Qytetari pretendon se pas kësaj punonjësit janë tërhequr dhe automjeti është larguar nga vendi.
Rasti ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si sillen punonjësit e institucioneve publike me qytetarët, veçanërisht në një qytet turistik si Vlora, ku sjellja dhe komunikimi i çdo punonjësi që përfaqëson një institucion duhet të jetë në përputhje me etikën dhe përgjegjësinë e detyrës.
A është e pranueshme që një punonjës i Policisë Bashkiake, në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët dhe qytetarët, t'i drejtohet një personi me ofendime dhe një fjalor rruge?
Uniforma nuk duhet të jetë një mburojë për arrogancën, kërcënimet apo mungesën e etikës. Përkundrazi, ajo duhet të përfaqësojë autoritetin, rregullin dhe respektin ndaj qytetarit.