Mbeti i bllokuar në “shtëpinë e barit” me 1,563 bimë, policia shpëton dhe arreston shqiptarin

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.08.2026, 10:22

Dy ditë i bllokuar brenda një ferme kanabisi, mes më shumë se 1,500 bimëve narkotike. Kjo është historia e Vilson Gjinajt, 30-vjeçarit shqiptar që u zbulua nga policia në një godinë në Kilmarnock të Skocisë dhe që tashmë pret vendimin për dënimin.

Shqiptari kishte mbetur brenda godinës pasi, sipas dëshmisë së tij, dera ishte bllokuar dhe nuk kishte mundur të dilte.

Gjinaj është shpallur fajtor për prodhimin e një droge të klasit B, pasi pranoi në Gjykatën Sheriff të Kilmarnock se kishte kultivuar kanabis në këtë ambient nga 24 dhjetori 2025 deri në momentin e arrestimit.

Rasti u zbulua më 3 shkurt, pas një telefonate në polici nga një person që kishte konstatuar një erë të fortë kanabisi dhe lëvizje të pazakonta në një godinë në 17-19 Canal Street, e njohur më parë si McMaster Motors.

Kur mbërritën në adresë, efektivët vunë re menjëherë aromën e fortë të kanabisit dhe dëgjuan ventilatorët që punonin brenda. Pak më vonë, ata dëgjuan edhe lëvizje në godinë dhe arritën të kontaktonin me Gjinajn.

30-vjeçari u tha policëve se kishte dy ditë që nuk mund të largohej, pasi hyrja ishte bllokuar. Oficerët tentuan të hapnin me forcë derën kryesore, por pa sukses. Për këtë arsye, u kërkua ndihma e zjarrfikësve, të cilët hynë në objekt nga pjesa e pasme.

Sapo u futën brenda, policia u përball me një ambient të organizuar për kultivimin e kanabisit. Bimët, sistemet e ventilimit dhe mbulesat plastike ishin të dukshme. Në të njëjtën hapësirë kishte edhe ushqime, ujë, krevat, dyshek, shtroje, pajisje gatimi dhe elementë të tjerë që tregonin se Gjinaj qëndronte aty.

Policia kontrolloi gjendjen e tij dhe konfirmoi se nuk kishte pësuar dëmtime dhe nuk kishte nevojë për trajtim mjekësor.

Një kontroll i detajuar i kryer të nesërmen zbuloi përmasat e aktivitetit. Në objekt u gjetën gjithsej 1,563 bimë kanabisi, të cilat sipas vlerësimit të prokurorisë mund të kishin një vlerë prej 312,600 deri në 937,800 paund.

Bimët ishin rreth gjashtë javëshe dhe, sipas hetuesve, ndodheshin afërsisht tre javë larg momentit të korrjes.

Gjinaj, i cili deklaroi se ishte shqiptar, u arrestua dhe më pas u akuzua pasi testet konfirmuan se bimët ishin kanabis, ndërsa ADN-ja e tij u gjet në ambientet e fermës.

Në gjykatë, avokati mbrojtës kërkoi që para dhënies së dënimit të përgatiteshin raporte mbi rrethanat personale dhe të kaluarën e Gjinajt, duke theksuar se ai nuk kishte precedentë penalë.

Sherifja Sheena Fraser pranoi kërkesën dhe shtyu caktimin e dënimit për një datë të mëvonshme gjatë këtij viti. Deri atëherë, Gjinaj do të qëndrojë në paraburgim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit