Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në fshatin Mleqan të Malishevës, ku një 72-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë.
Viktima është Haki Fazli Gashi, i cili, sipas Policisë së Kosovës, ishte duke lëvizur si këmbësor në momentin kur u godit nga automjeti.
“Ka ndodhur një aksident trafiku, ku i dyshuari mashkull me veturën e tij ka goditur një këmbësor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, 72-vjeçari ka ndërruar jetë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shoferi i dyshuar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 16 gusht, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Mleqan.