Një grup punëtorësh ndërtimi kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm gjatë rinovimit të një banese në Sint-Gillis-Dendermonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës. Ata kanë gjetur një sasi të madhe ari, me vlerë të përllogaritur rreth 9 milionë euro, të fshehur në një arkë të murosur në një nga muret e bodrumit.
Thesari u zbulua rastësisht në fillim të kësaj jave, teksa punëtorët po shponin muret për të vendosur tubacione të reja të ujërave të zeza. Brenda arkës ndodheshin më shumë se 40 shufra ari dhe të paktën 4 mijë monedha, sipas raportimeve të mediave belge.
Mes punëtorëve ishte edhe një 18-vjeçar që po punonte gjatë pushimeve verore. Ai tregoi se në fillim nuk e kuptuan se çfarë kishin gjetur.
“Reagimi ynë i parë ishte mosbesimi dhe habia. Në fillim mendova se ishin monedha 1-euroshe. Por më pas pamë edhe një copë ari dhe kuptuam se bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe”, tha i riu për transmetuesin publik belg VRT.
Pas zbulimit, punëtorët njoftuan menjëherë porositësin e punimeve dhe policinë. Autoritetet e kanë zhvendosur arin në një vend të sigurt, ndërsa ka nisur hetimi për të përcaktuar origjinën e thesarit dhe pronarin e tij ligjor.
Prona aktualisht është në pronësi të CAW Oost-Vlaanderen, një organizatë që ofron shërbime dhe mbështetje sociale në rajon. Sipas të dhënave të para, ndërtesa ka qenë e banuar nga një prodhues birre që prej rreth vitit 1900.
Drejtori i përgjithshëm i organizatës e cilësoi zbulimin si një ngjarje të jashtëzakonshme.
“Është një përvojë që ndodh një herë në jetë”, deklaroi ai.
Megjithatë, për momentin mbetet e paqartë se kujt i përket ari. Prokuroria belge ka nisur verifikimet për të zbardhur historinë e thesarit dhe për të përcaktuar nëse ekziston një pronar ose trashëgimtar i ligjshëm.
Nëse në fund CAW Oost-Vlaanderen shpallet pronare e arit, organizata ka bërë të ditur se të ardhurat do të përdoren për krijimin e vendeve shtesë të strehimit për personat e pastrehë në provincë, ku sipas saj ka një mungesë të madhe të kapaciteteve të tilla.