Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu zonën e Paulesh–Vidhasasgjel, në Njësinë Administrative Pajovë të Peqinit. Flakët përshkuan një sipërfaqe me ullishte, pyll, ferra dhe bimësi të egër, duke djegur mbi 2 hektarë tokë, kryesisht ullishte dhe barishte.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan 22 forca zjarrfikëse, ndërsa në terren ndërhynë edhe forca të Policisë dhe banorë të zonës. Në operacion morën pjesë zjarrfikës nga Elbasani, Cërriku, Belshi dhe Rrogozhina. Pas ndërhyrjes së forcave, zjarri u vu nën kontroll dhe u shmang përhapja e tij në sipërfaqe të tjera.
Të dhënat paraprake ngrenë dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Ndërkohë, autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të rënies së zjarrit.