I arrestuari nën dyshimet për spiunazh për Serbinë, Fehim Sali, kishte arritur të hynte në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, tregon një njoftim i vitit 2022 i Zyrës së Kryeministrit
Sali ishte pritur në takim bashkë me disa të tjerë në cilësinë e “përfaqësuesit të komunitetit goran”.
Takimi ishte zhvilluar më 3 tetor të vitit 2022.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për takimin.
Sali operonte prej kohësh si udhëheqës i një organizate jo-qeveritare.
Ai u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdare, derisa po hynte nga Serbia në Kosovë.
Fehim Sali shtynte agjendën serbe në Kosovë që nga viti 2013, tregojnë paraqitjet e tij mediale.
Si kandidat për Asamblenë Komunale të Dragashit në zgjedhjet e vitit 2013, ai zotohej se do të angazhohej që Komuna e Dragashit të bëhej pjesë e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e asociacionit në Bruksel.
Sali garonte për asamble si pjesë e listës së koalicionit “Stranka Demokratske Akcije dhe Social-Demokratska Stranka Gore”, dy subjekte politike nga Dragashi.
Në një debat televiziv të organizuar nga Medija Centar në Serbi, Sali deklaronte se koalicioni ka shtrirë dorën e tij për ndihmë edhe te Qeveria e Serbisë.
“Po, do të angazhohemi që të futemi në bashkësinë e komunave serbe”, shtonte Sali në të njëjtin debat.
Por, partia e tij nuk mblodhi votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e asamblesë në Dragash.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sali, që garoi me numrin dy në listën e koalicionit, mori 59 vota në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai nuk garoi në zgjedhjet pasardhëse.