Ishte blerë para 4 ditëve, jahti luksoz 8 milionë eurosh fundoset në Costa Smeralda

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.08.2026, 15:36

Një jaht luksoz me vlerë rreth 8 milionë euro është fundosur mbrëmjen e së martës, më 11 gusht në Costa Smeralda. Itali. Jahti, rreth 30 metra i gjatë, ndodhet tashmë i shtrirë në një anë, në një thellësi prej rreth shtatë metrash.

Sipas rindërtimeve të para, jahti pësoi një defekt në motor, i cili dyshohet se shkaktoi edhe një zjarr në bord. Flakët u vunë shpejt nën kontroll, por incidenti bëri që uji të hynte në trupin e mjetit lundrues, duke çuar në fundosjen e tij.

Në bord ndodheshin 14 persona, mes tyre pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Personat u morën në bord nga mjete të tjera lundruese që ndodheshin pranë, ndërsa më pas u shoqëruan drejt Poltu Quatu.

Pronari i jahtit, një sipërmarrës italian, priti mbërritjen e ekipeve të shpëtimit dhe të Kapitanerisë së Portit të La Maddalena-s, e cila koordinoi operacionet për sigurimin e mjetit.

Pavarësisht se nuk raportohet për viktima, autoritetet po monitorojnë situatën për shkak të rrezikut të ndotjes së detit. Sipas të dhënave të para, nuk ka pasur rrjedhje karburanti, por zona përreth jahtit është izoluar me barriera mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e mundshme të hidrokarbureve.

Jahti do të qëndrojë nën monitorim deri në mbërritjen e një rimorkiatori të një kompanie të specializuar, e cila do të merret me nxjerrjen e tij në sipërfaqe dhe rikthimin në breg. Operacionet për ndërhyrjen janë tashmë në përgatitje.

Mjeti lundrues është një Amer F100, rreth 30 metra i gjatë dhe me një gjerësi prej afërsisht 7 metrash. Jahti, që i ishte dorëzuar pronarit vetëm katër ditë para incidentit, është i pajisur me katër motorë Volvo Penta IPS1200, me nga 900 kuaj fuqi secili. Shpejtësia maksimale arrin rreth 28 nyje, ose afërsisht 53 kilometra në orë. Në bord ka pesë kabina: një suitë master, dy kabina VIP dhe dy kabina dyshe. Kapaciteti është deri në 10 të ftuar dhe 5 anëtarë ekuipazhi.

Për momentin, prioriteti i autoriteteve mbetet sigurimi i zonës dhe parandalimi i çdo rrjedhjeje karburanti që mund të shkaktojë dëme mjedisore në ujërat e Costa Smeralda-s.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit