Trafik i rënduar dhe radhë kilometrike automjetesh janë krijuar këtë të enjte në hyrje të Elbasanit, në aksin Tiranë–Elbasan.
Qindra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar në zonën e Bradasheshit, ndërsa sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, pritja zgjat prej rreth dy orësh dhe radha e automjeteve ka arritur deri në 6 kilometra.
Situata është përkeqësuar nga fluksi i lartë i lëvizjeve në këto ditë të nxehta vere, me qytetarë, emigrantë dhe turistë që udhëtojnë drejt bregdetit dhe zonave të juglindjes së vendit.
Për drejtuesit e mjeteve, pritja në temperatura të larta është kthyer në një tjetër problematikë të përsëritur në këtë aks.
Hyrja e Elbasanit, veçanërisht segmenti i Bradasheshit, prej vitesh përballet me trafik të rënduar, pa një zgjidhje përfundimtare. Qytetarët kërkojnë ndërtimin e menjëhereshëm të Bypass-it të Elbasanit për të lehtësuar qarkullimin dhe të reduktuar fluksin e automjeteve në hyrje të qytetit.