Një grua me origjinë rumune është arrestuar në Itali pasi dyshohet se ka marrë pa leje mbesën e saj vetëm 10-ditëshe nga një spital në Marcianise, në provincën e Kazertës, dhe është larguar me makinë drejt veriut të vendit. Sipas hetuesve, ajo dyshohet se synonte të kalonte kufirin dhe të shkonte në Rumani me foshnjën.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 9 gushtit. Pas alarmit, Skuadra Mobile e Kazertës dhe Komisariati i Marcianises nisën menjëherë gjurmimin e automjetit, ndërsa policia rrugore u vu në gatishmëri.
Të nesërmen, hetuesit identifikuan targat e makinës dhe koordinuan ndërhyrjen me Policinë Rrugore të Firences. Automjeti u lokalizua dhe u ndalua në autostradën A1, pranë Firences, përpara se të mund të largohej nga Italia.
Në makinë ndodhej foshnja, e cila u vu menjëherë në siguri dhe u transportua në spitalin pediatrik Meyer në Firence. Sipas raportimeve italiane, gjendja e saj shëndetësore ishte e mirë.
Rasti lidhet edhe me një vendim gjyqësor për kujdestarinë e foshnjës. Sipas mediave italiane, gjykata kishte vendosur që fëmija t’i hiqej kujdestarisë së nënës së re.
Një tjetër detaj i bërë publik është se gjyshja ishte nën arrest shtëpiak. Ajo u arrestua për shkeljen e kësaj mase, ndërsa ndaj saj është ngritur edhe dyshimi për marrjen e një personi të paaftë.
Hetuesit dyshojnë se destinacioni i fundit i udhëtimit ishte Rumania. Plani u ndërpre pasi policia arriti të gjente automjetin pranë Firences, rreth një ditë pas marrjes së foshnjës nga spitali.