Një 72-vjeçar është shpëtuar nga policia në Shtime, pasi kishte rënë aksidentalisht në një bunar në oborrin e shtëpisë së tij.
Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2026, rreth orës 18:25, në rrugën “Veteranët e Lirisë”, në fshatin Muzeqinë. Sipas policisë, i moshuari kishte qenë duke ujitur kopshtin kur kishte rënë në bunar.
Pas njoftimit, zyrtarët policorë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Njëri prej tyre është futur rreth 10 metra në bunar dhe e ka siguruar 72-vjeçarin me litar, ndërsa dy policë të tjerë kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij të gjallë.
I moshuari është dërguar fillimisht në QKMF-në e Shtimes dhe më pas në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim të mëtejshëm.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa policia ka kryer procedurat e nevojshme.