Një pasagjer është shqetësuar nga gjendja e një ulëseje në avionin e kompanisë easyJet, në fluturimin EZS1498 në linjën Prishtinë–Gjenevë, të planifikuar për 9 gusht.
Në fotografitë e dërguara nga pasagjeri shihet njëra prej ulëseve të kabinës, pjesa e poshtme e së cilës duket e ngritur ose e çmontuar, duke lënë të ekspozuar strukturën dhe mekanizmin e brendshëm të saj.
Gjendja e ulëses ka ngritur shqetësime te pasagjeri lidhur me mirëmbajtjen dhe gjendjen e brendshme të kabinës së avionit.
Megjithatë, nga fotografitë nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për ndonjë defekt teknik, mirëmbajtje të planifikuar apo një ndërhyrje tjetër në ulëse.
Fluksi i udhëtarëve nga dhe drejt Kosovës rritet ndjeshëm gjatë muajve të verës, periudhë kjo që shoqërohet me numër të madh fluturimesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Për momentin, nuk ka të dhëna nëse kompania easyJet ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me gjendjen e ulëses në fjalë.