Ndërsa kriza demografike dhe emigracioni po zbrazin përditë vendin nga krahët e punës, ekzekutivi ka nisur një ofensivë diplomatike për të mbuluar boshllëqet në tregun vendas. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përmbyllur së fundmi një sërë marrëveshjes me vende aziatike, duke i kthyer përpjekjet për importimin e krahut të punës në një axhendë të mirëfilltë ndërshtetërore.
Përgjatë javëve të fundit, drejtuesja e dikasterit, Delina Ibrahimaj, ka nënshkruar dy memorandume kyçe mirëkuptimi me autoritetet e Vietnamit dhe Indonezisë. Të dyja këto akorde synojnë institucionalizimin e linjave të rekrutimit të kualifikuar, duke u mundësuar bizneseve vendase qasje të drejtpërdrejtë te fuqia punëtore nga Azia Lindore dhe Juglindore.
Në kuadër të marrëveshjes me Vietnamin, parashikohet ngritja e procedurave të përbashkëta të trajnimit dhe organizimi i forumeve ekonomike për lidhjen e bizneseve shqiptare me agjencitë partnere. Projektet e aluduara flasin për ardhjen e mundshme të dhjetëra mijëra punonjësve në sektorë kritikë si hoteleria, bujqësia dhe industria përpunuese.
Ndërkaq, paktet e nënshkruara në Xhakartë me autoritetet indoneziane e përfshijnë vendin tonë në programin shtetëror "SMK Go Global", i cili synon dërgimin e krahut të kualifikuar të punës jashtë vendit, i certifikuar dhe i trajnuar me standarde ndërkombëtare.
Sipas të dhënave më të fundit administrative mbi lejet e qëndrimit:
Tranzicioni i tregut të punës po zhvillohet në sfondin e të dhënave shqetësuese të censit të fundit, i cili konfirmoi një rënie me rreth 15% të popullsisë banuese në krahasim me dekadën e kaluar, i shoqëruar nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindshmërisë.
Ajo që disa vite më parë shihej si zgjidhje alternative apo episodike nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili u bënte thirrje sipërmarrësve privatë të orientoheshin nga tregjet aziatike, sot po merr trajtën e një politike zyrtare publike. Nisma që dikur niste nga iniciativa private e bizneseve sot mbështetet nga mekanizma zyrtarë shtetërorë.
Kritikët dhe ekspertët e sektorit ngrenë pyetjen se sa i qëndrueshëm është ky model. Në vend të politikave agresive për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, inspektimeve të rreptë apo lehtësirave fiskale për punëmarrësit vendas me qëllim frenimin e eksodit, autoritetet duket se po zgjedhin rrugën e zëvendësimit struktural të krahut të punës që largohet.