Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili ndodhet në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë. Sipas tij, spitali ka mbetur pa furnizim me ujë prej më shumë se tre orësh, një situatë që ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e një prej institucioneve më të rëndësishme shëndetësore në vend.
Qytetari ka dërguar edhe një video, ku shihet duke hapur rubinetat në ambientet e spitalit, ndërsa nuk rrjedh asnjë pikë ujë. Në pamje dëgjohet duke thënë:
"Ora 6 dhe s'ka ende ujë këtu te Trauma, te Spitali i Traumës. Spitali i Traumës nuk ka ujë! U bënë 3 orë pa ujë këtu. Pyeta një infermiere kur do vijë uji dhe ajo më tha: 'S'e di, kur ta sjellin, i kemi lajmëruar'."
Nëse situata është ashtu siç përshkruhet në denoncim, bëhet fjalë për një problem tepër serioz, pasi mungesa e ujit në një spital ku trajtohen pacientë me trauma dhe kryhen ndërhyrje urgjente mund të ndikojë në higjienë, shërbimin ndaj pacientëve dhe punën e stafit mjekësor.
Mbetet për t'u sqaruar se cili është shkaku i ndërprerjes së furnizimit me ujë dhe përse një institucion kaq i rëndësishëm ka mbetur për orë të tëra në këto kushte. Pritet një reagim nga Spitali Universitar i Traumës dhe nga UKT për të shpjeguar arsyet e kësaj situate dhe masat e marra për rikthimin e furnizimit me ujë.
JOQ Albania pret edhe një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për këtë rast.