Vetëm dy javë pasi u la e lirë nga gjykata me masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", Kumrie Zika rikthehet sërish në qendër të një skandali të ri.
Këtë herë ngjarja nuk ka ndodhur në Tiranë, por në Vlorë. Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamjet filmike nga kamerat e sigurisë së një pike "Exchange" në lagjen "Pavarësia", të cilat tregojnë momentin kur Zika hap sirtarin e kasës, merr një tufë me para me vlerë rreth 5 mijë euro dhe largohet nga ambientet e biznesit.
Sipas pronarit, ajo kishte kontaktuar vetëm dy ditë më parë duke kërkuar punë. Mëngjesin e kësaj të marte u paraqit në zyrë dhe nisi punën. Pas rreth 15 minutash, në momentin kur punonjësja doli për të kryer një pagesë me kartë, Zika hapi kasën, mori paratë dhe doli jashtë duke thënë se do të fliste pak në telefon. Pas largimit nuk u kthye më.
Pronarët e biznesit kanë bërë kallëzim në polici dhe çështja është në ndjekje penale.
Ngjarja është pothuajse identike me rastin e raportuar vetëm dy javë më parë në Tiranë, ku po në një pikë "Exchange" u vodhën rreth 5 mijë euro me të njëjtën skemë. Edhe atëherë, kamerat e sigurisë dokumentuan gjithçka, Policia e Shtetit e arrestoi Kumrie Zikën, por vetëm pak ditë më vonë ajo u la e lirë nga gjykata me masën "detyrim paraqitjeje".
Prej muajsh, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të shumta nga biznese të ndryshme, të cilat kanë raportuar të njëjtën mënyrë veprimi: prezantohej si punonjëse, fitonte besimin e pronarëve dhe më pas largohej me paratë e kasës.
Rasti i sotëm ngre sërish pikëpyetje serioze për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga institucionet. Si është e mundur që, pas një sërë denoncimesh dhe arrestimit të mëparshëm, e njëjta skemë të përsëritet sërish, këtë herë qindra kilometra larg, në një qytet tjetër?
Nëse ekzistojnë probleme të shëndetit mendor, siç është pretenduar më herët nga familjarët e saj, ato duhet të trajtohen nga institucionet përgjegjëse. Në të kundërt, lënia e saj e lirë rrezikon që edhe biznese të tjera të bëhen viktima të së njëjtës skemë.
Pamjet e siguruara nga JOQ Albania flasin vetë. Tani mbetet që organet e drejtësisë të veprojnë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.