Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar për natën e 66-të radhazi protestën kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po marshojnë në bulevardet e kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Ju erdhi fundi!" dhe "Shqipëria kërkon revolucion!", që kanë shoqëruar nisjen e marshimit të kësaj mbrëmjeje.
Prej 66 ditësh pa asnjë ndërprerje, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje në qendër të Tiranës, duke e kthyer këtë në një nga lëvizjet qytetare më të gjata dhe më të qëndrueshme në vend. Organizatorët e konsiderojnë vazhdimësinë e protestës si dëshmi të vendosmërisë së qytetarëve për të mos u tërhequr deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për 36 vitet e fundit, si dhe reforma të thella politike. Marshimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje dhe slogane kundër qeverisë.